Tuesday, October 23, 2007

Bejtexhiu! (tregim)

Ka ca njerëz,të rrallë-domosdo- që e kanë më lehtë të flasin me vargje,se sa të bisedojnë siç bëjnë gjithë njerëzit në botë.Kur them të rrallë,janë si të lindur enkas me këtë predispozitë,një lloj bekimi nga Zoti,se ndryshe nuk ke se si e shpjegon këtë mënyrë të"foluri" të tyre.Dhe,sa i njeh,jo vetëm që befasohesh,por të bëhen aq intimë,sa nuk do të ndahesh prej tyre.Dhe,kur ndahesh,ndjen një keqardhje se vallë a do t'i shohësh dot më.Le t'ju kujtoj për një çast një të tillë:Babë Dudë Karbunara(aliaz Jorgji Karbunara).Ky Rilindas dhe mësues i madh,qe dhe një bejtexhi i lindur.Edhe kur e torturonin se përhapte mësime të shqipes,torturat i duronte me humor:"Bini,o djemtë e mëmëdheut/me shkopinjtë e Skënderbeut".
Dhe unë në këtë tregim timin,dua t'ju njoh me një bejtexhi të bukur,të cilin e kam njohur qysh kur kam qenë nxënës në klasë të pestë,aty nga fillimet e viteve '50 të shekullit që kaloi.
* * *
Sapo dola në xhade,se vija nga fshati për të shkuar në shkollë në Fier,se nuk kishim shkollë unike(9-vjeçarja e sotme),shoh një burrë,pakësa të gjatë,krahasuar me burrat e tjerë,që kish vënë përpara disa lopë.-Mirëmëngjes,xhaxha!-përshëndeta.-Mirëmëngjes,o trëndafil me vesë/4 pula e gjeli pesë!-ma priti.Unë ia dhashë të qeshurit se nuk më kish ndodhur një gjë e tillë,me tjetër njeri qoftë dhe me burra si ky i gjati.E pashë që qe me humor dhe,sado që qeshë i vogël,aq,sa po të donte ky burri i gjatë,mua mund të më fuste në një nga xhepat e potureve,se poture kishte,ndryshe nga fshatarët e tjerë të këtyre anëve.U grahte lopëve(mund të ishin nja 5-6 kokë),dhe,sa bënte merhaba,me cilindo rrugëtar të rastit,zinte dhe ngrinte bejte.Të dukej për një cast,sikur këto
t'i kish futur në ato xhepat e mëdhenj të potureve dhe i nxirrte me shpejtësi.Sa soste njërën,tak tjetrën, dhe,sa sosëm në Fier,gati dy orë rrugë vetëm bejte.Njerëzit,veç meje,e njhnin të gjithë dhe zinin ta gudulisnin:-Nga do shkosh,xha Muço?(Dreqi ta hajë!Harrova që t'ju njoh me të:quhej Muço Kaja!).Dhe Muçua që kish"harruar" të fliste,fillonte:-Unë po shkoj andej,nga Fieri/po më pret mua,buzësheqeri/buzëshqeri-trëndelinë/prite,prite Muçozinë/se për ty harroi shtëpinë/.Gjindja,përqark,gajaseshin,kurse,unë si më i vogli,kakarisja si ato pulat shqirake kur lënë furrikun.Se kish milet rrugës për Fier,se bëhej pazar dhe pazari bëhej të martave(jo si dikur që në gjithë vendin të djelave!).Pra,ka qenë ditë e martë kur e kam njohur Muço Kajën.Dhe mezi prisja të martën tjetër,që ta rishihja mikun tim.Duke u vënë veshë më tëvjetërve,që e njihnin Muçon,edhe unë sikur ia mora dorën që të bëhesha intim me të.Kish shpirt të bardhë dhe nuk prishte qejf me njeri.Secilit ia bënte qjefin,pa pritur që t'i luteshe.Unë:-Po nesër ku do veshë,o xha Muço?-Nesër Muçua shkon në Lushë/del një vajzë me sy si rrush/unë i ble flori për gushë/edhe bëhemi gushë për gushë/
Po pasnesër?-Pasnesër ,në Kavajë/kavajoten e përrlaj/se më kot nuk jam ustaj/
Pas Kavajës,shkoi në Durrës.-Po në Durrës/një arrë gungëz/
Po ç'më ka,ç'më ka një gushëz/ka një gushëz/ka një sy/O Muço,pse s'vdes tani?/
Po pas Durrësit,vjen Tirana.-Në Tiranë,në kryeqytet/Muçoziu çfarë të gjetë/Desh t'u bë kurrizi petë/Qe një vajzë,po qe sherbet/Edhe dëng,mua isharet/Ishareti më pëlqeu/Po ja tek mbrriti "beu"/
Edhe tak nxjerr një kobure/Desh më dhjeu në poture...
Kuptohet që nuk kish nevojë për "kurdisje".Dukej sikur fjalosej dhe as pyeste për moshën e atyre që pyesnin.
Qe pajtuar qeraxhi nga tregëtarët dhe me këtë punë merrej,duke u ngrahur bagëtive kudo që bëhej pazare.Qe i ndershëm dhe,pse qe i tillë,si qeraxhi(një lloj punëtori me mëditje!)pati grahur bagëti deri në Shkodër.Dhe dikush(ishin të shumtë ata që e njihnin!) e dongëdis:-Po në Shkodër?Në Shkodër,xha Muço!-Niset Muçua për në Shkodër/edhe sos me këngë e lodër/Sos?E thashë jangllësh!/Sos një"punë" në Bahçallëk/se ndryshe të thonë:jazëk!.
-A ke qenë në Elbasan?-Elbasan,o vuna dorën/Mucoja tundi këmborën/
Elbasan me kumuria/Muço të luajti burgjia/Elbasanka si venusi/Të këndojë Usta Isufi/Sa Isufi,sa Budini/turru Muço nga Peqini/në Peqin-pazar i vogël/por të vjenë mendja rrotull/del peqinsja me ferexhe/edhe bën sikur s'më sheh/mua dy lopë më duken tre/
Një ditë tjetër në Berat/aty po:hoqa adhap/vjen beratsja për karshi/o Muço oi-oi/Epo kot nuk jam sojli/Dhe i hip si kalë dori/Kur u zbrita/tak më hipi/Ç'e do:m'u këput"rripi"/Dhe m'u sul t'më hajë me dhëmbë/po shyqyr që pacë këmbë/se për ndryshe Muçua vajti/veç nga vajza nga Berati./
A ke vajtur në Vlorë?Shkoi Muçua në Vlorë/Fier-Vlorë për dy orë/Del një vajzë ma bën me dorë?Domethënë,a tund këmborë?/Mirë e tund,po ç'thotë vlonjati?Mos e di se është Berati?I bën bisht ky Muçoshkreti/por si duket e zu deti/e zu deti:deshi s'deshi/për vlonjakun as që pyeti/edhe hëngri dhe kur s'desshi...
Natyrisht,fragmente të sakatauara më kanë mbetur në kujtesë nga
ai.Kisha vjete pa e parë.Tani po plakesha vetë dhe,veç kësaj,pushteti"popullor" i preu këto pazare që të çonin në "kapitalizëm"(se siç thoshte Iliçi:-Prona evogël,lind pronën e madhe!)dhe kisha mbi 20-vjet që nuk e kisha parë mikun tim(se kështu e quaja për kënaqësinë që më kish dhënë dhe jo vetëm mua!).Kur një mbasdite të viteve '80,e shoh xha Muçon.Ish plakur mjaft, dhe,sado që nuk më njihte,thashë njëherë ta provoj a do ketë bejte të tjera,tani që fukarallëku ish ulur këmbëkryq në fshatrat tona(ndaj qe pushtet i "popullit!"):dhe i them:-Ç'kemi xha Muço?Si po kalon me dynjallëk?Dhe ai(epo ku shterrron shpirti ibardhë i një bejtexhiu?!).Muçua mirë,po me gruan keq/Se dëgjon Muçon për dreq/Hajde grua tek dysheku/Dale Muco kokëdybeku/Se nuk jam ajo e para/Prit,O Muco,të vijë radha/Është së pari brigadieri/Ik,o Muco,brekëpërmjerri/
Se ta dish,të keqen xhixhai,gratë e sotme e kanë"dy herë nga hendeku/një herë nga dysheku/." Sado që qe plakur,bejtet s'i kish lënë.Ato qenë vetë jeta për të.Dhe ashtu e ka sosur jetën.Jo duke biseduar,por duke kënduar.Tani që po e mbyll këtë rrëfim timin,më vjen,me të vërtetë,keq që po ndahem me të.Sa do më pëlqente që dhe njëherë të rikthehej dhe të fillonte nga bejtet e tij që,mjerisht,po i sjell të "sakatuara"para jush.Nuk do më vinte keq fare,përkundrazi do ndjeja një lehtësim të madh,që dikush që e ka njohur më mirë nga unë,ta bënte më të plotë portretin e këtij njeriu të bukur,me zemër të madhe që vetë këndoi tërë jetën e tij.Ai(jam i sigurt)nuk pati asnjë mik të veçantë,se miqësohej me të gjithë.Se kish një shpirt të bardhë prej babaxhani.I paharruar qoftë kujtimi i Muço Kajës nga fshati Gjonas i Lushnjes.
Përparim Hysi,shkruar për"peshkupauje"më 23 tetor 2007

No comments: